Vela

    Politika e përdorimit të pranueshëm

    Çfarë nuk mund të shitet në Vela, si duhet të shisni, dhe çfarë nuk lejohet të bëhet me shërbimin.

    Përditësuar më: 17 shtator 2026 · Versioni 1.0

    Ky dokument është hartuar në shqip dhe në anglisht. Nëse dy versionet ndryshojnë, vlen versioni shqip.

    1.Pse ekziston kjo politikë

    Kjo politikë është pjesë e Kushteve të shërbimit dhe vlen për tregtarët, stafin dhe blerësit. Ajo tregon çfarë nuk mund të shitet në Vela dhe çfarë nuk mund të bëhet me Vela.

    Lista ndjek tre rregulla njëkohësisht: ligjin shqiptar, rregullat e ofruesit të pagesave dhe rregullat e tregtisë së Meta (Instagram). Kur ndryshojnë, zbatojmë më të rreptin. Arsyeja është praktike: një dyqan që shet mallra të ndaluara mund t'u rrezikojë pagesat me kartë të gjitha dyqaneve në Vela dhe llogarinë e vet në Instagram.

    Lista nuk është e plotë. Nëse diçka është e paligjshme, është e ndaluar edhe nëse nuk përmendet këtu.

    2.Mallra dhe shërbime të ndaluara

    • Armë: armë zjarri, municion, pjesë armësh, eksplozivë, armë me gaz ose elektrike, thika dhe sende të bëra për të lënduar, si dhe udhëzime për t'i prodhuar.
    • Fishekzjarrë dhe materiale piroteknike.
    • Droga: substanca narkotike dhe psikotrope, kanabis dhe produkte të tij, substanca "legale" që imitojnë drogat, dhe mjete për përdorimin e tyre.
    • Barna dhe pajisje mjekësore: barna me ose pa recetë, antibiotikë, injeksione, steroide, produkte për humbje peshe me pretendime mjekësore, dhe pajisje mjekësore që kërkojnë autorizim.
    • Duhan dhe nikotinë: cigare, duhan, cigare elektronike, lëngje dhe produkte me nikotinë.
    • Alkool, sepse Vela nuk mund të verifikojë moshën e blerësit.
    • Mallra të falsifikuara: kopje, "replika", "first copy" ose çdo produkt që përdor markën e dikujt tjetër pa leje, si dhe softuer, filma ose muzikë pirate.
    • Mallra të vjedhura, të kontrabanduara, ose me origjinë që nuk mund ta provoni.
    • Përmbajtje dhe shërbime për të rritur: pornografi, shërbime seksuale, produkte seksuale dhe çdo gjë që seksualizon të miturit.
    • Lojëra fati: basti, lotari, kazino, bileta llotarie, "kuti misterioze" me çmime parash.
    • Shërbime financiare: kriptomonedha, investime, hua, këmbim valute, skema piramidale dhe "fitime të garantuara".
    • Kafshë të gjalla, specie të mbrojtura dhe produkte prej tyre (fildish, lëkurë kafshësh të rrezikuara).
    • Pjesë të trupit të njeriut, organe, gjak ose lëngje trupore.
    • Materiale të rrezikshme: kimikate toksike, pesticide të ndaluara, materiale radioaktive ose të ndezshme që nuk lejohen në dërgesë.
    • Produkte të pasigurta: produkte të tërhequra nga tregu, lodra ose pajisje elektrike pa sigurinë që kërkon ligji.
    • Dokumente dhe identitete: dokumente identiteti, diploma, targa, uniforma zyrtare, dokumente të falsifikuara, lista me të dhëna personale.
    • Mjete për spiunim ose sulme kompjuterike: programe spiune, pajisje për regjistrim të fshehtë, mjete për të thyer llogari.
    • Llogari dhe ndjekës digjitalë: llogari në rrjete sociale, ndjekës, pëlqime ose vlerësime të blera.
    • Objekte të trashëgimisë kulturore: gjetje arkeologjike dhe objekte që ligji ndalon të shiten ose të nxirren jashtë vendit.
    • Mallra që nxisin urrejtje ose dhunë, ose që lavdërojnë terrorizmin.

    3.Mallra që kërkojnë kujdes ose leje

    Këto lejohen vetëm nëse respektoni ligjin që vlen për to dhe keni lejet e nevojshme:

    • Ushqime, përfshirë ato të bëra në shtëpi: regjistrimi dhe rregullat e sigurisë ushqimore, etiketimi, afatet e skadencës.
    • Kozmetikë dhe produkte kujdesi: përbërësit dhe etiketimi sipas ligjit; pa pretendime mjekësore.
    • Suplemente ushqimore: pa pretendime se kurojnë ose parandalojnë sëmundje.
    • Pajisje elektrike, lodra, sende për fëmijë: sipas standardeve të sigurisë.
    • Mallra të përdorura: të përshkruara me ndershmëri, përfshirë defektet.

    Mund t'ju kërkojmë të provoni lejet ose origjinën e mallit në çdo kohë.

    4.Si duhet të shisni

    • Çmime të vërteta. Mos shfaqni çmime "të mëparshme" ose zbritje që nuk kanë ekzistuar.
    • Foto dhe përshkrime që tregojnë produktin real, jo të dikujt tjetër pa leje.
    • Mos kërkoni pagesë me kartë jashtë Vela për një porosi të bërë në Vela, dhe mos u kërkoni blerësve të dhënat e kartës.
    • Mos shkruani vlerësime të rreme, as për veten, as kundër të tjerëve, dhe mos ofroni shpërblime për vlerësime pozitive pa e thënë.
    • Mos i përdorni të dhënat e blerësve për asgjë tjetër përveç porosisë, pa bazë ligjore (për shembull pa pëlqimin e tyre për reklama).
    • Mos dërgoni mesazhe të padëshiruara (spam) përmes Vela ose Instagram.
    • Mos kërkoni nga përgjigjet automatike të thonë diçka të rreme ose të mashtrojnë blerësit.

    5.Sjellje të ndaluara ndaj shërbimit

    • Mashtrim, pastrim parash ose përdorim i Vela nga persona nën sanksione.
    • Hyrje ose përpjekje për të hyrë në llogari, dyqane ose të dhëna që nuk janë tuajat.
    • Testime sigurie, skanime ose sulme pa lejen tonë me shkrim.
    • Ngarkimi i viruseve ose i kodit të dëmshëm.
    • Mbingarkimi i shërbimit, kopjimi automatik i të dhënave (scraping) ose anashkalimi i kufizimeve.
    • Krijimi i shumë llogarive për të marrë disa herë muajin falas ose për të shmangur një pezullim.
    • Paraqitja si dikush tjetër, ose si përfaqësues i Vela.
    • Ngacmim, kërcënim ose fyerje ndaj blerësve, tregtarëve ose ekipit tonë.
    • Publikimi i përmbajtjes së paligjshme, që shkel të drejtat e autorit, ose që përmban të dhëna personale të të tjerëve pa leje.

    6.Çfarë bëjmë kur shkelet

    Sipas rëndësisë së shkeljes, mund të:

    • ju kërkojmë ta rregulloni brenda një afati;
    • fshehim ose heqim produkte ose përmbajtje;
    • pezullojmë pagesat me kartë për dyqanin;
    • pezullojmë ose mbyllim dyqanin ose llogarinë, sipas Kushteve të shërbimit;
    • njoftojmë ofruesin e pagesave, Meta ose autoritetet kur ligji e kërkon ose kur ka rrezik për të tjerët.

    Kur mundemi, ju tregojmë arsyen dhe ju japim mundësinë të shpjegoni. Nëse mendoni se kemi gabuar, na shkruani në [email protected].

    7.Raportoni një problem

    Nëse shihni në Vela një produkt të ndaluar, një dyqan mashtrues, përmbajtje që shkel të drejtat tuaja ose një problem sigurie, na shkruani në [email protected] me lidhjen e faqes dhe një përshkrim të shkurtër. I shqyrtojmë të gjitha raportimet dhe nuk ia tregojmë dyqanit kush e bëri raportimin, përveç kur ligji na detyron.

    Kthehu në krye

    Kush e ofron këtë shërbim

    Operatori
    Vela
    NIPT / NUIS
    M62102028V
    Adresa
    Rruga Hamdi Sina, Tiranë, Albania
    Email
    [email protected]
    Faqja
    https://shop.vela.al